Aksidentohen me veturën e vjedhur, një i vdekur e dy të plagosur !

Pak pas mesnate, në magjistralen , saktësisht tek reparacioni “Graniti” në Landovicë, ka ndodhur një 
aksident trafiku i cili për pasojë ka lënë të vdekur 
një person mashkull ndërsa lëndime të rënda trupore 
kanë pësuar dy të tjerë.
“Të lënduarit po kurohen në Spitalin Rajonal në Prizren ndërsa njëri me lëndime më serioze është transferuar në QKUK në Prishtinë”, ka deklaruar për Indeksonline kapiten Hazir Berisha, zëdhënës rajonal i policisë në Prizren.
Sipas hetuesve të Trafikut Rajonal të Prizrenit, të cilët i janë përgjigjur rastit së bashku me komandantin e Stacionit dhe prokurorin e shtetit thuhet se, tre të meshkuj të moshës së re, në momentet kritike po lëviznin me një automjet “Opel Kadet” në drejtim të Gjakovës dhe nga mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes shoferi e humb kontrollin ndaj veturës e cila kalon në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe ndeshet ballë përball me një veturë të llojit “Xhip Isuzi” e cila vinte nga krahu i kundërt.
Pas përplasjes, vetura “Opel Kadet” rrokulliset disa herë dhe përsëri bie në rrugë. Pas hetimeve fillestare bëhet me dije se vetura “Opel Kadet” ishte paraqitur e vjedhur me datën 17 qershor në Policinë e Gjakovës dhe targat nuk i përkisnin veturës “Opel Kadet” por një veture tjetër “Volkswagen”.
Më pas është bërë e ditur se tre të dyshuarit e kishin mbushur me karburant veturën në një pompë të derivateve të naftës në Arbanë dhe kishin ikur pa paguar fare.
Sipas Bazës së të Dhënave të Policisë, të dyshuarit kanë mbi dhjetëra raste kriminale në ngarkim. Gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar tri thika patentë.
Dy të dyshuarit dhe viktima që ka humbur jetën, që ndodheshin në të njëjtën veturë të vjedhur, janë nga Komuna e Gjakovës